Kardiokirurgjia
Shërbimet e Kardiokirurgjisë
- Kirurgjia e bypass-it të arterieve koronare.
- Kirurgjia e valvulave të zemrës.
- Kirurgjia e aortës.
Mjekët e departamentit
Dr. Endri Harja
Kardiokirurg
Në repartin e kardiokirurgjisë kryhen ndërhyrjet e mëposhtme:
Kirurgjia e bypass-it të arterieve koronare (Coronary Artery Bypass Grafting-CABG)
Kjo ndërhyrje është një nga mundësitë terapeutike të pacientëve me sëmundje të arterieve koronare (arteriet, të cilat furnizojnë zemrën me gjak).
Sëmundja e arterieve koronare është ngushtimi ose bllokimi i një ose më shumë prej këtyre enëve, të cilat furinizojnë zemrën me gjak të pasur me oksigjen. Zakonisht, gjatë një operacioni të bypass-it të arterieve koronare adresohen tre, katër ose më shumë prej këtyre enëve. Kjo ndërhyrje rikthen në normalitet furnizimin e zemrës me gjak të pasur me oksigjen duke krijuar një “anashkalim-bypass” të fluksit të gjakut përtej ngushtimit apo bllokimit të arteries koronare. Kjo realizohet duke përdorur enë gjaku të shëndetshme, të cilat bëjnë të mundur që gjaku të qarkullojë pa pengesa. Këto enë të reja përbëhen zakonisht nga arterie nga kraharori ose parakrahu si dhe vena nga këmbët. Me pak fjalë, këto shërbejnë si rrugë të reja të furnizimit të zemrës me gjak të pasur me oksigjen.
Kur ka nevojë pacienti për kirurgji të bypass-it të arterieve koronare?
Ka disa teste me anë të cilave kardiologu mund të zbulojë nëse pacienti ka ngushtime apo bllokime të arterieve koronare, varësisht ankesave. Këto rezultate interpretohen duke marrë parasysh moshën, ankesat, situata të tjera shëndetësore, stilin e jetesës së bashku me funksionin e strukturën e zemrës. Të gjithë këto informacione do të ndihmojnë kardiologun e kardiokirurgun për të përcaktuar alternativat më të mira të trajtimit.
Objektivat e kirurgjisë së bypass-it të arterieve koronare janë:
- Lehtësimi i ankesave të ngushtimit apo bllokimit të arterieve koronare si dhimbja e gjoksit apo marrja e frymës.
- Rikthimi në stilin normal të jetes.
- Ulja e rrezikut për infarkte të miokardit ose probleme të tjera kardiakenë të ardhmen
Kjo lloj kirurgjie mund të kryhet në të njëjtën kohë në kombinim me ndërhyrje të tjera kardiake sipas indikacionit të përcaktuar nga kardiologu e kardiokirurgu.
Tipet e enëve që përdoren për bypass.
Arteria mamare interne është një nga enët më të përdorura në këtë kirurgji. Ajo ështa standardi i trajtimit të këtyre pacientëve të cilët i nënshtrohen kirurgjisë së bypass-it të arterieve koronare. Kjo arterie ofron rezultatet më të mira afatgjata. Njeriu ka dy arterie të tilla në kraharor të cilat mund të përdoren për të realizuar këtë operacion.
Arteria radiale është një tjetër lloj i shpeshtë ene që përdoret. Parakarahu furnizohet nga dy arterie, ajo radiale e ulnare. Kjo bën të mundur furnizimin parakrahut e dorës me gjak edhe kur arteria radiale përdoret në zemër për të anashkaluar ngushtimet apo bllokimet e arterieve koronare. Arteria radiale njihet se ka rezultate të mira, edhe pse rezultatet afatgjata nuk njihen plotësisht. Ekzistojnë edhe disa enë të tjera që merren nga organet ose pareti abdominal si arteria gastroepiploica, epigastrica inferior, por të cilat përdoren mjaft më rrallë, në rastet kur opsionet e mësipërme nuk janë të mundura.
Venat safena gjenden në këmbë dhe mund të përdoren si bypass-e. Procedura e marrjes së venës nga këmba dhe përdorimi i saj janë relativisht më pak komplekse por ato kanë tendencën të ringushtohen apo bllokohen me kalimin e viteve.
Cili ështe lloji më i mirë i enëve për bypass?
Kardiokirurgu përcakton llojin e përshtatshëm për pacientin varësisht shumë faktorëve si pozicioni dhe numri i ngushtimeve, mosha, faktorë të tjerë mjekësorë psh: venat varikoze nuk preferohen te përdoren, etj.
Kirurgjia e valvulave të zemrës
Pak anatomi
Zemra përbëhet nga katër dhoma të cilat lidhen me njëra-tjetrën dhe enët e mëdha të qarkullimit të gjakut përmes katër valvulave. Ato janë valvula njëdrejtimore, të cilat bëjnë të mundur qarkullimin e gjakut vetëm në një drejtim të caktuar, pa e lejuar të kthehet mbrapsht. Dy ndodhen në anën e djathtë dhe përkatësisht valvula trikuspidale dhe valvula pulmonare. Dy të tjerat ndodhen në anën e majtë e emërtohen valvula mitrale e ajo aortike.
Sëmundjet e valvulave
Valvulat te të rriturit mund të dëmtohen duke u ngushtuar ose duke mos u mbyllur plotësisht. Ngushtimi shkakton vështirësi të qarkullimit të gjakut në drejtimin e zakonshëm, ndërsa mbyllja jo e plotë rezulton në kthim mbrapsht të gjakut, pra në drejtim të kundërt me atë normal. Përmes mekanizmash të ndërlikuar të dy këto dëmtime shkaktojnë sforcim të punës së zemrës që mund të çojë eventualisht edhe në dëmtim të muskulit të zemrës, nëse nuk ndërhyhet në kohë. Valvulat mund të preken edhe nga të dy këto patologji njëkohësisht. Në raste më të rralla këto valvula preken edhe nga infeksioni, i cili quhet endokardit bakterial.
Valvulat që preken më shpesh nga këto patologji janë ajo mitrale e aortike dhe më rrallë ajo trikuspidale e pulmonare.
Përparimi i teknologjisë dhe ekspertiza mjekësore e kanë thjeshtuar diagnostikimin e sëmundjeve valvulare të zemrës. Mjekët tanë mund ta përcaktojnë diagnozën dhe gradën e dëmtimit vetëm përmes ekos kardiake.
Fazat e para të patologjisë mund të trajtohen me medikamente të cilët e ndihmojnë zemrën të funksionojë më mirë, por duke qënë një problem mekanik, eventualisht do të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale për të riparuar apo zëvendësuar valvulat e dëmtuara.
Riparimi ose zëvendësimi i valvulave
Varësisht patologjisë dhe ekspertizës së ekipit mjekësor, valvulat mund të riparohen ose zëvendësohen. Riparimi i valvulës mitrale e asaj trikuspidale për patologji të caktuara të tyre është një procedurë e testuar nga koha si superiore në krahasim me zëvendësimin e tyre me protezë artificiale.
Zëvendësimi i valvulave me proteza artificiale është një alternativë mjaft e mirë në rastet që gjykohet nga kardiokirurgu dhe kardiologu varësisht patologjisë, moshës, sëmundjeve shoqëruese dhe preferencës së pacientit.
Ekzistojnë dy lloje protezash valvulare: biologjike e mekanike. Secila prej tyre ka pëparësi e të meta, duke qenë se asnjë nga ato nuk është ideale. Zgjedhja e tyre diskutohet me kardiologun e kardiokirurgun duke marrë parasysh shumë faktorë. Gjithsesi, pacienti është ai që merr vendimin final pasi i janë shpjeguar me hollësi të gjithë detajet.
Këto operacione mund të jenë të izoluara, do të thotë vetëm një valvulë ose të kombinuara: dy ose më shumë valvula njëkohsisht, së bashku me bypass të arterieve koronare, etj. Kjo përcaktohet pas vlerësimit të ekzaminimeve nga kardiologu e kardiokirurgu, duke marrë parasysh përfitimet e rreziqet e procedurës. Gjithmonë në operacion hyhet me plan të qartë, duke adresuar të gjitha patologjitë njëkohësisht.
Mënyrat e kryerjes së interventit
Ndërhyrjet për korrigjimin e patologjive valvulare kryhen me kirurgji përmes inicizioneve tradicionale ose inicizioneve minimal invazive duke shkaktuar më pak impakt te pacienti. Metodat më të reja të adresimit të sëmundjeve të valvulave të zemrës e më saktësisht për valvulën mitrale e atë aortike përfshijnë trajtimin përmes disa tubave të hollë (kateterë) të cilët futen nga pozicione të caktuara në trupin e njeriut. Këto teknika bëjnë të mundur shmangien e kirurgjisë tradicionale në pacientë të caktuar. Kjo vendoset nga ekipi i zemrës, ku kryesorët janë kardiokirurgu e kardiologu.
Kirurgjia e aortës
Pak anatomi
Aorta është ena më e madhe e gjakut e njeriut. Ajo mundëson qarkullimin e gjakut të pasur me oksigjen e lëndë ushqyese drejt tërë organeve e strukturave të trupit. Pjesa që shtrihet në kraharor deri në diafragmë quhet aorta torakale, ndërsa ajo që shtrihet nën diafragmë e në bark, quhet aorta abdominale. Në paraqitje diagramatike ajo ka formën e një bastuni.
Patologjitë e aortës
Aorta duke qenë subjekt i presioneve të larta të qarkullimit të gjakut ëshë e prirur të zgjerohet ose çahet në pacientë ta caktuar. Ka disa faktorë të cilët predispozojnë për zhvillimin e këtyre patologjive si defekte gjenetike (sindromi Marfan, biskupidia e aortës, etj), hipertensioni arterial i patrajtuar, duhanpirja, ateroskleroza etj.
Zgjerimi i aortës nuk ka ankesa tipike. Ndonjëherë mund të ketë dhimbje gjoksi, shpine ose marrje fryme, ngjirje zëri etj. Ndërsa çarja e aortës ka dhimbje mjaft të forta të cilat mund të fillojnë në gjoks me përhapje në shpinë, midis shpatullave, që e detyrojnë pacientin të kërkojë ndihmë mjekësore urgjente.
Një pjesë e këtyre pacientëve diagnostikohen rastësisht në rastet kur është zgjerim i izoluar ose në raste urgjence kur ndodh çarja e saj. Çarja e aortës torakale, në pozicione të caktuara të saj, përbën një urgjencë kardiokirugjikale e pacienti duhet operuar sa më shpejt për të rritur shanset e mbijetesës.
Zgjerimi i aortës torakale operohet kur ajo arrin dimensione të përcaktuara qartë të cilat vlerësohen nga kardiologu e kardiokirurgu. Në rastet kur zgjerimi është në fazat fillestare, mbahet nën vëzhgim mjekësor me ekokardiografi ose angioskaner/angiorezonancë magnetike.
Operacioni konsiston në zëvendësimin e aortës me tub sintetik e varësisht rastit e shoqëruar me riparim/zëvendësim të valvulës së aortës/mitrale ose bypass të arterieve koronare. Objektivi i ndërhyrjes është ulja e rrezikut të çarjes së aortës.
Zhvillimi i teknologjisë dhë akumulimi i ekspertizës mjekësore ka bërë që këto patologji të diagnostikohen shpejt e në disa raste të trajtohen me procedura përmes kateterëve duke shmangur deri diku ndërlikimet e ndërhyrjeve tradicionale.